Debati në Kuvend: Bardhi akuzon për shkelje të Kushtetutës dhe urgjencë të rreme
Një debat i ashpër u zhvillua këtë të martë në Kuvend, me fokus rregulloren e re të institucionit. Zëra kundërshtarë ngritën shqetësime thelbësore lidhur me ligjshmërinë dhe urgjencën e ndryshimeve të propozuara.
Gjatë fjalës së tij, deputeti Gazment Bardhi theksoi se ndryshimet e rregullores nuk janë emergjente, duke argumentuar se Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur ende vendimin e saj për çështje të ngjashme.
"Me vetëdije ju e keni shkelur Kushtetutën. Dhe jo një herë, por dy herë," u shpreh Bardhi. "Me 8 me 0, Gjykata Kushtetuese ka thënë se Kryetari i Kuvendit e ka hedhur në erë Kushtetutën. Pra, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë për shkarkimin tuaj, por ju e keni rrëzuar atë me votë politike."
Ai vazhdoi duke theksuar mungesën e një çështjeje urgjente për t'u trajtuar, duke përsëritur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ende nuk është bërë publik. "Prandaj, ju kërkoj me mirësjellje të bëheni garant i Kushtetutës. Parlamenti nuk mund të jetë tekë," përfundoi Bardhi, duke nënvizuar nevojën për respektimin e parimeve kushtetuese në punën legjislative.