Debat i ashpër në Komisionin e Reformës Territoriale mes Mziut dhe Maznikut

Debat i ashpër në Komisionin e Reformës Territoriale mes Mziut dhe Maznikut

Xhelal Mziu dhe Arbjan Mazniku janë përplasur gjatë mbledhjes në Komisionin për Reformën Territoriale. Kryetari i Komisionit, Arbjan Mazniku, propozoi ngritjen e një sondazhi për këtë reformë, duke theksuar se për nxjerrjen e rezultateve do të nevojiteshin 3-4 muaj. Në përgjigje të kësaj, deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, e cilësoi propozimin si një "autogol" nga mazhoranca. Ai argumentoi se nuk mund të kërkohen 3-4 muaj për një sondazh, ndërkohë që data 30 qershor është vendosur si afat i fundit për miratimin e reformës. Mazniku shpjegoi se përgatitja dhe përpunimi i të dhënave të sondazhit në 12 qarqe kërkon minimalisht 3-4 muaj, pasi është një proces teknik. "Pa tre muaj ne nuk dalim dot në krye," tha ai. Mziu kundërshtoi, duke theksuar kontradiktën mes afatit të reformës dhe kohës së nevojshme për sondazhin. "Ju thoni që keni vendosur korrikun dhe thoni që të ecim sa të bëjmë. Pra ju e keni paracaktuar," u shpreh ai. Pas një shkëmbimi fjalësh mbi çështjet procedurale, Mziu ngriti sërish argumentin se një sondazh kërkon më shumë kohë sesa reforma, e cila ka dështuar prej 10 vitesh. "Njëherë thoni që sondazhi do 3 muaj për t’u bërë, pastaj thoni që duhet ta mbyllim reformën deri më 30 qershor, që i thonë 4 muaj. Ose e keni paracaktuar reformën, ose nuk keni sensin për të krijuar një reformë që është koherente," përfundoi Mziu. Mazniku u përgjigj se thelbi ishte adresimi i një dokumenti pune të propozuar nga ata, ndërsa Boçi ndërhyri duke kërkuar të mos kishte kundërpërgjigje për çdo folës.