Rruga Qaf Bualli – Krastë e cila është në inventar të Autoritetit Rrugor Shqiptar është kthyer në një makth jo vetëm për banorët e Martaneshit, por edhe bizneset që operojnë në këtë zonë. Mehmet Koka është një prej sipërmarrësve që ka aktivitetin e tij në Martanesh. Ai thotë se gjendja e rënduar e rrugës po ju sjell një kosto të papërballueshme tek automjetet. Mehmeti shprehet se i paguan shtetit shqiptar 1 Milion dollarë detyrime në vit, ndërsa shteti për të nuk po bën asgjë. I indinjuar nga gjendja e keqe e rrugës, Mehmeti mat edhe thellësinë e gropave që gjenden në të gjithë aksin rrugor prej 18 kilometrash. Sipërmarrësi Koka i bën apel Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të ndërhyjë sa më parë për zgjidhjen e kësaj problematike.
Për banorët dhe sipërmarrësit e Martaneshit, rruga është totalisht e braktisur pasi nuk është bërë asnjë investim i mirëfilltë për të prej shumë vitesh. Por jo vetëm kaq, ata shprehen se nuk ka as punëtorë për mbushjen e gropave me zhavor.