Covid-19 “kyç” industrinë e turizmit në Dibër

0
18

Pandemia Covid-19 preku thuajse çdo sektor të ekonomisë. Por më e ndjeshme ishte situata në sektorin e turizmit që Shqipëria është shumë më e varur, si prej turistëve që vijnë nga jashtë, por edhe nga shqiptarët e trevave në Kosovë e Maqedoninë e veriut. Fushata e fundit pusho shqip për të stimuluar atë që quhet “turizmi patriotik”, mund të ketë mbushur plazhet, por në zonat malore, nuk duket një situatë e ngjashme. Sektori i turizmit në Dibër, vitet e fundit po merrte një zhvillim edhe më të madh. Shumë struktura akomoduese janë ngritur në këtë zonë për t’ju shërbyer turistëve vendas dhe të huaj. Por pandemia covid-19 i ka vënë në situatë të vështirë, bizneset që operojnë në fushën e turizmit malor dhe atë kurativ në ujërat termal; një problem zinxhir edhe në ekonominë e zonës.
Grehans Uka, që prej më shumë se 6 vitesh punon si udhërrëfyes, kryesish me turistët që vizitojnë Dibrën, tregon se këtë vit kishte shumë pak punë.
Dashurie Zerja, fillimisht merrej vetëm me prodhimin e jufkave. Prej kësaj pune dhe jo vetëm, biznesi i familjes së saj u zgjerua me “Bujtinën e Jufkave. Zerja na tregon se e vetmja punë që ka patur gjatë kësaj periudhe është me ato klientë që ka në Dibër për tregtimin e jufkave, ndërsa rezervimet nga të huajt dhe turistët vendas thuajse janë anuluar të gjitha.
Në të njëjtën situatë ndodhen edhe ato pak bujtina që janë hapur në Bulqizë. Lulzim Hupi, pas kthimit nga emigracioni në Greqi, prej disa vitesh, kullën e familjes së tij mbi 200 vjeçare e ka kthyer në bujtinë. Lulzimi tregon se thuajse të gjitha ato prenotime që ishin për vitin 2020 janë anuluar.
Shkëlqim Çipuri, që prej vitit 2011 ka hapur një prej hoteleve më të mëdha në zonën e qendrës balneare, në akomodimin e personave që qëndrojnë për llixha në Peshkopi. Çipuri tregon se ky vit ka qenë një dështim total, pasi pjesën më të madhe kanë qëndruar të mbyllur.