“Çmenden” importuesit e karburanteve, çmimi i naftës arrin në 199 lekë/litër
Nisja e luftës nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjet e këtij të fundit ka dhënë efektet e para edhe në Shqipëri. Kompanitë e hidrokarbureve kanë rritur menjëherë çmimet duke ndikuar direkt në xhepin e konsumatorëve. Brenda pak ditës, një litër naftë e cila tregtohej me 170 lekë, ka arritur vlerën në disa pika karburanti në 199 lekë. Për një javë, vlera e një litri nafte është rritur me 29 lekë, duke arritur një vlerë shumë të lartë thuajse e njëjtë me periudhën e nisjes së luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Rritja e çmimit të naftës dhe benzinës është reflektuar në të gjitha pikat e shitjes me pakicë në territorin e Qarkut Dibër. Aktualisht çmimi i një litri naftë varion nga 182 lekë deri në 199 lekë, në varësi të subjektit tregtues. Jashtë kameras drejtuesit e automjeteve shprehen se mund të ketë abuzim nga subjektet e shitjes me pakicë pasi kanë ende rezervat kur nafta është blerë me çmim të ulët në bursën ndërkombëtare. Ata u bëjnë apel institucioneve shtetërore të ndërhyjnë dhe të ndalin abuzimin nëse është kryer nga subjektet e importit dhe shitjes me pakicë të hidrokarbureve. Mësohet se Autoriteti i Konkurrencës vijon të jetë në terren për të monitoruar tregun dhe për të konstatuar çdo abuzim të mundshëm nga operatorët. Rritja e sotme e çmimeve në tregun e pakicës vjen menjëherë pas ndryshimeve që në mbrëmjen e djeshme pësoi çmimi i naftës në bursat e huaja duke arritur në nivelin e 100 USD për fuçi. Ndërsa mëngjesin e sotëm çmimi arriti në 103 USD për fuçi. Para nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme, nafta në bursë tregtohej me çmim 65 USD për fuçi.