Çifti austriak i mahnitur me luginën e Shkopetit, shumë turistë të tjerë e shijojnë çdo ditë pamjen pranverore të luginës

Çifti austriak i mahnitur me luginën e Shkopetit, shumë turistë të tjerë e shijojnë çdo ditë pamjen pranverore të luginës

Lugina e Shkopetit vijon të tërheqë shumë turistë të huaj. Në fakt kjo është periudha më e bukur në këtë luginë për shkak të luleve shumëngjyrëshe që mbushin të dy anët e liqenit. Turistë nga vende të ndryshme të botës vijnë dhe ndalen në këtë luginë për të shijuar pamjen piktoreske në të gjithë gjatësinë. Askush nuk i reziston pa u ndalur për të shijuar pamjen piktoreske që të ofron lugina, teksa është duke udhëtuar në rrugën Skuraj – Burrel. Por ka edhe prej atyre që janë njohur nëpërmjet rrjeteve sociale me bukurinë natyrore të luginës së Shkopetit dhe kanë ardhur enkas për ta prekur nga afër. Fredi dhe Manuela janë një çift i ardhur nga Austria. Ata tregojnë se luginën e Shkopetit e kanë parë në kanale të ndryshme në YouTube ndaj kanë vendosur ta vizitojnë. Ata tregojnë se kanë mbetur të impresionuar në Shqipëri jo vetëm në këtë luginë por kudo ku kanë qenë deri tani. Ne vijmë nga Austria, jemi vetëm dy veta, unë dhe gruaja ime. Jemi ndalur këtu në këtë pikëvështrim të bukur ku po ndalojnë vazhdimisht edhe makina të tjera. Po udhëtojmë me një kamper të vogël. Kemi gjithçka me vete: tualetin, një kuzhinë të vogël, një krevat shumë të mirë, tavolinën dhe karriget e kampingut ku jemi ulur tani. Çdo gjë është super. Dua të shmang autostradat dhe rrugët e shpejta që të futem më shumë në brendësi të vendit. Kjo është më interesante për ne sesa qytetet e mëdha apo pikat turistike klasike. Nga pikëpamja e natyrës, çdo gjë është fantastike. Ne e shijojmë natyrën dhe ndalojmë aty ku na pëlqen. Jemi pa një plan fiks. Më vonë do të shkojmë në Maqedoninë e Veriut, pastaj në Greqi dhe në fund do të kthehemi në shtëpi”. Çifti austriak thonë gjithashtu se në Shqipëri çdo gjë është e bukur; që nga natyra, ushqimi e mikëpritja. Për momentin nuk mund të them asgjë negative, jemi këtu vetëm prej dy ditësh. Pozitive janë patjetër moti dhe natyra e bukur. Edhe ushqimi është shumë i mirë. Dje hëngrëm një specialitet shqiptar, një lloj gjelle kombëtare që shijonte mrekullueshëm.Njerëzit janë shumë miqësorë. Komuniteti ishte krejtësisht i sjellshëm, asgjë negative. E pamë në një kanal në YouTube. Pashë kamperistë të tjerë që kishin udhëtuar nëpër Shqipëri. Ne erdhëm nga Bosnja dhe pas kufirit pamë një liqen dhe një vend kampingu shumë të bukur. Pamjet në YouTube na bënë aq shumë përshtypje sa thamë që duhet të vishnim këtu, dhe ashtu bëmë Çdo vit lugina e Shkopetit tërheq me qindra vizitorë, të cilët kanë mundësinë jo vetëm të shijojnë natyrën shumëngjyrëshe të luginës, por edhe Ulzën turistike.