
Ashtu si çdo vit tjetër, Bashkia e Matit ka ruajtur traditën e vlerësimit të mësuesve që kanë dalë në pension dhe me 7 Mars ju ka dorëzuar atyre çertifikatë mirënjohjeje për gjithë kontributin e dhënë në arsimimin e brezave të rinj. Edhe këtë 7 Mars, u zhvillua në mjediset e pallatit të kulturës Burrel ceremonia e dhënies së çertifikatave mirënjohjeje për disa nga mësuesit e pensionuar. Motivacionet e mirënjohjeve për mësuesit i lexuan Kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj, Nënprefekti i Matit Hasan Pasha dhe Zëvendëskryetari i Bashkisë Mat, Myslym Zeneli. Me çertifikatë mirënjohjeje u vlerësuan mësuesit Tomor Bukaçi, Vera Gjoka, Fatime Hysenlikaj dhe Baftjar Skura.
Pas ceremonisë së dhënies së mirënjohjeve, të pranishmit u zhvendosën në sallën e shfaqjeve të pallatit të kulturës ku ndoqën aktivitetin festiv të QKF Mat. Fëmijët që frekuentojnë Qendrën Kulturore të Fëmijëve Mat, performuan me këngë e valle të ndryshme për të nderuar kështu figurën e arsimdhënësve në Mat.
Aktiviteti festiv u ndoq nga prindër, mësues e nxënës të Matit, të cilët duartrokitën interpretimet e fëmijëve që mbushën skenën e pallatit të kulturës për disa minuta.
Dritan Kurti