
Është e pamundur nëse keni kaluar në rrugën Klos – Bulqizë dhe të mos jeni ndeshur me pamjen e kësaj rrotulle ngjitur me rrugën nacionale në lagjen “Voshi” të fshatit Kloskatund. Ndoshta shumë pak e dijnë, por kjo ndodhet në këtë vend prej 37 vitesh. Ndërtuesi i saj është Sali Voshi i cili banon aty pranë. Saliu na tregon se e quan në dialektore “Çekrek” dhe qëllimi i saj është për të nxjherrë ujin në anën tjetër të rrugës, por duke mos harxhuar asgjë. 79 vjeçari Sali Voshi thotë se në vitin e largët 1984 këtë objekt e pa në një emision televiziv të Austrisë dhe vendosi që bashkë me vëllain e tij ta ndërtonin.
Duke qenë se ishte një vepër e rrallë për kohën, Saliu na tregon se e akuzuan se abuzonte me ujin vaditës, por që kurrë nuk i kërkuan ta hiqte “Çekrekun” që kishte ndërtuar.
Duke qenë se ky mekanizëm ndodhet ngjitur me rrugën nacionale, ai tërheq vëmendjen e të gjithëve. Ndërtuesi i saj Sali Voshi na tregon se aty ndalojnë me dhjetra njerëz kureshtar jo vetëm nga zona të ndryshme të shqipërisë por edhe të huaj, pasi ajo tashmë është vepër arti.