
Të gjithë ata që udhëtojnë nga Tirana në drejtim të Qarkut Dibër nëpërmjet Rrugës së Arbrit është e pamundur të mos përballen me gjendjen e degraduar të Baypassit që kalon nga fshati Bastar Murriz drejt Xibrit. I gjithë segmenti është me gropa e me shkarje të rrugës, ndërsa në shumë vende mjetet xhirojnë si të ishte akull. Siç shihet nga pamjet, në këtë pjesë rruge mjetet ngecin pasi heqja e asfaltit ka nxjerr në pah zhavorin dhe makinat e kanë thuajse të pamundur të kalojnë pa xhiruar.
Drejtuesit e mjeteve dhe vetë udhëtarët shprehen se aksi është lënë në mëshirë të fatit që kur u lejua kalimi në rrugën e Abrit në Nëntor të vitit të kaluar. Sipas drejtuesve të mjeteve, situata në temperatura të larta bëhet akoma edhe më e vështirë pasi për shkak të pjerrtësisë së rrugës, mjetet mbinxehen e në shumë raste digjen.
Rruga e Arbrit është hapur për kalimin e mjeteve para se të përfundonin gjitha punimet. Në rrugë është hedhur vetëm shtresa e parë asfaltike ndërsa ende punohet tek tuneli i Murrizit.