Ditën e martë, me datë 24 Dhjetor, Këshilltarët e Bashkisë Mat votuan buxhetin e vitit 2020 me vlerën 454,165,206 lekë. Me asistencën e ekspertëve të projektit zviceran “Bashki të forta” është hera e parë që buxheti i Bashkisë Mat ka të bashkëlidhur dhe planin e performancës për vitet 2020-2022. Një dokument si plani i performancës është tepër i rëndësishëm për menaxhimin e financave bashkiake pasi ai bën të mundur ndërlidhjen e objektivave dhe programeve me rezultatet e synuara nëpërmjet treguesve të performancës duke e sjellë informacionin në një format lehtësisht të kuptueshëm. Bashkia Mat i bashkohet votimit të një buxheti të dedikuar për aktivitetet e këshillit bashkiak për vitin 2020. Me miratimin e këtij buxheti dhe kalendari, anëtarët e këshillit bashkiak mund të planifikojnë më mirë dhe kohë më përpara aktivitetet e tyre në shërbim të komunitetit dhe për më tepër, do të kenë mundësi t’i kenë të buxhetura ato që në fillim të vitit. Është hera e parë që një organi kaq të rëndësishëm i atribuohet një buxhet i dedikur për mirëfunksionimin e tij institucional.
Si pasojë e analizës së këshillit bashkiak, projekt – buxheti 2020-2022 ka të përfshirë edhe iniciativat e identifikuara prej tyre gjatë fazës së konsultimeve me publikun për përmirësimin e buxhetit, të cilat konsistonin në sigurimin e fondeve jo qeveritare për qendrën ditore për fëmijët në nevojë (për tu përvijuar me kalimin në funksion të bashkisë Mat në 2021), dhe 14,643,975 lekë të alokuara për mirëmbajtjen e rrugëve rurale dhe trotuareve të qytetit, ku përfshihen kualidimet e investimeve si dhe blerja e një mjeti të dedikuar. Gjithashtu gjatë konsultimeve me buxhetin u identifikua dhe nevoja për përfshirjen e fondi prej 200,000 lekë për të adresuar çështjen e qenve endacakë në territorin e bashkisë.
Këshilltarët e Këshillit të Bashkisë Mat kanë pranuar modelin e funksionimit të mirë të Këshillit të ofruar nga asistenca teknike e ekspertëve të projektit “Bashki të Forta”. Gjithashtu Drejtoria e Financës ka përfituar nga kjo asistencë për hartimin e planit të Performancës 2020-2022.
“Bashki të Forta” është një projekt i financuar nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe implementuar nga Helvetas.