Sfida e javës së 22 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll e vë Burrelin përballë ekipit të Kukësit. Matjanët kanë udhëtuar që të premten drejt qytetit verilindor për të qenë në formën sa më të mirë në përballjen e së shtunës që nis në orën 13:30, në “Kukës Arena”. Futbollistët matjanë të drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj kanë marrë udhëzimet e fundit këtë të premte në ambjentet e stadiumit “Liri Ballabani”. Ndërkohë, për Florenc Farrukun kjo përballje do të jetë e vështirë ndërsa ka vlerësimin maksimal të të gjithëve. Sipas Farrukut, objektivi i ekipit matjan vijon të jetë ai i vendit të tretë në klasifikimin e përgjithshëm të kategorisë së parë, ndërsa verilindorët kërkojnë të dalin nga zona e ftohtë. Madje për të rritur shanset e qëndrimit në Kategorinë e Parë, ekipi i Kukësit do të ketë hyrjen falas në stadium për çdo tifoz ditën e shtunë. Megjithatë, Farruku shton se shpreson të kthehen në Burrel me tri pikë të plota.
Aktualisht ekipi i Burrelit mban vendin e katërt me 34 pikë në renditjen e përgjithshme, ndërsa Kukësi mban vendin e 9 me 20 pikë. Matjanët synojnë t’i rrëmbejnë vendin e tretë Besës e cila deri tani ka grumbulluar 43 pikë.