Burreli – Skënderbeu, 1 me 2

Burreli – Skënderbeu, 1 me 2
Janë luajtur të dielën ndeshjet e javës së 12 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Ekipi ynë i futbollit “Burreli” priti në stadiumin “Liri Ballabani” skuadrën kryesuese të kategorisë së parë, Skënderbeun e Korçës. Matjanët u mundën 2 me 1 nga korçarët të cilët i shënuan të dy golat që në pjesën e parë. Megjithatë, duhet thënë se skuadra e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj pati raste të pastra që në minutat e para të takimit për të shënuar, por u humbën nga Fetaj e Arnold. Miqtë arritën të gjejnë rrjetën e portës matjane në minutën e 7 me Vangjelin i cili shfrytëzon saktë një top të kthyer nga mbrojtja matjane dhe shënon golin e parë. Rastet e ekipit të Burrelit do të ishin të shumta por pa finalizuar me gol asnjërin prej tyre në pjesën e parë. Miqtë dyfishojnë shifrat në minutën e 21 me Musa-n. Goli i vetëm i matjanëve do të shënohej në pjesën e dytë, pikërisht me Xhabrahimin në minutën e 60. Korçarët arritën ta ruanin rezultatin dhe në minutat e mbetura duke bërë që në fund të lojës të rrëmbenin tri pikë të plota nga kjo përballje. Këto tri pikë e mbajnë Skënderbeun në vendin e parë me 31 pikë të grumbulluara në 12 ndeshje, ndërsa Burreli qëndron në vendin e 5 me 16 pikë, po aq sa Apolonia e vendit të shtatë dhe një pik më pak se Iliria e vendit të katërt që ka grumbulluar deri tani 17 pikë. Këtë fundjavë Burreli do të luajë në transfertë kundër ekipit të Kukësit.