Ekipi i futbollit Burreli zhviloi këtë të shtunë ndeshjen e javës së 28 të këtij kampionati. Por përballja me Apoloninë e Fierit ka qenë e vështirë për matjanët, të cilët e humbën me rezultat të thellë.
Vendësit kanë arritur të shënojnë plot katër gola në portën e Burrelit, ndërsa ky i fundit nuk ka mundur të shënojë as golin e nderit. Apolonia ka shënuar nga një gol në pjesën e parë dhe tre gola në të dytën, duke qëndruar që nga minuta e 27 në avantazh ndaj Burrelit.
Ndërkohë që nga minuta e 56 matjanët kanë luajtur me një lojtarë më pak në fushë, për shkak të daljes me të kuqe të brazilianit Luis Paulo. Ky i fundit u dënua brenda pak minutash dy herë me karton të verdhë, ç’ka detyroi arbitrin kryesor të nxjerrë të kuqin.
Futja në lojë e Mallunxës, Ntepe dhe Trokthit nuk ka ndryshuar asgjë për matjanët të cilët pësuan edhe golin e katërt në minutën e 80.
Ndërkohë, ekipi i kategorisë së dytë Klosi fitoi ndeshjen në tavolinë këtë të shtunë ndaj ekipit Internacional Tirana për shkak të mos paraqitjes së miqëve. Ndeshja e planifikuar të luhej në stadiumin e Burrelit nuk u zhvillua, duke bërë që përfaqësuesit e federatës t’i japin tri pikë klosjanëve. Në këtë kategori ka mbetur edhe një javë nga mbyllja e sezonit.