
Ekipi i Burrelit është rikthyer tek fitorja pas 3 barazimeve dhe një humbjeje. Matjanët mundën pastër të shtunën në “Liri Ballabani” ekipin e Besëlidhjes së Lezhës, me rezultatin e thellë 3 me 0. Djemtë e drejtuar nga tekniku Alert Alcani u hodhën në sulm që në minutat e para, duke gjetur rrjetën e portës mike në minutën e 8’. Mes dy lojtarëve të Besëlidhjes, Jakut dhe Veselit, sulmuesi matjan Çema dërgon topin në rrjetë.
Vetëm tre minuta më vonë matjanët dyfishojnë rezultatin. Është Hepaj që gjuan nga një distancë e largët, ndërsa topin e grushton portieri Kodra. I gjendur aty pranë, baraziliani Oliviera nuk gabon duke e dërguar topin në rrjetë.
Miqtë nuk mundën të prodhojnë asnjë rast serioz për të rrezikuar portën e mbrojtur me fanatizëm nga Igli Koca. Redon e Ruben Danaj nuk patën asnjë mundësi për të gjuajtur drejt portës vendase. Fabio Hasa kishte një tjetër rast ideal në minutën e 30, teksa ndodhej i vetëm me portierin mik, nuk arrin të godasë në shenjë. Megjithatë, dy minuta para se të mbyllej pjesa e parë, kapiteni i Burrelit, Kejd Dibra trefishon golat për matjanët dhe vendos rezultatin final të takimit. Stafës i besohet një goditje këndore dhe topin e dërgon në zonën mike, Dibra godet me kokë dhe shënon golin e tretë të kësaj ndeshjeje.
Edhe pjesa e dytë nis me të njëjtin ritëm loje. Matjanët nuk ndalën përpjekjet e tyre për të kërkuar golin e radhës edhe pse rezultati ishte i thellë. Ndërsa miqtë të vënë edhe nënpresionin etre golave të pësuar në pjesën e parë, nuk mundën të depërtonin deri në rrjetën e portës matjane. Në minutë e 50 Farruku mund të kishte shënuar teksa ndodhej fare pranë portës, por topin e nxjerr jashtë kuadratit. Rasti i vetëm i miqëve për të shënuar të paktën golin e nderit ishte ai i minutës së 85. Cimesa i cili ndodhej brenda zonës së rreptësisë gjuan me kokë, por jo në kuadrat. I gjithë takimi u mbyll Burreli 3 e Besëlidhja 0. Trajneri i ekipit Burreli, Alert Alcani tha se djemtëdëgjuan këshillën, pasi hynë në lojë si ushtarë dhe dolën si general.
“ndryshoi ajo që tham një ditë më parë. Futbollistët u futën në fushën e lojës si “ushtarë” dhe dolën si “gjeneral”. Ata dhanë maksimumin e mundshëm dhe ja dolën, i tillë është futbolli. Kisha një parandjenjë për fitorën e sotme. Më vjen keq për ekipin e Lezhës pasi unë aty jam rritur e jam bërë futbollist, por i tillë është futbolli. Besëlidhjes i uroj shumë suksese, e po ashtu edhe ekipit tim. Të vazhdojmë të ecim kështu. Besoj që euphoria në ekip ka kaluar me ato ndeshje që janë mbyllur deri tani. Kemi ndeshje të vështirë në transfertë me Ballshin dhe jam i sigurtë që djemtë do të japin maksimumin siç e dhanë edhe sot, e pse jo për ta fituar këtë ndeshje” – u shpreh Alcani pas ndeshjes.
Trajneri i Besëlidhjes, Alban Bruka tha se skuadra e tij u fut me aufori në fushën e lojës për shkak të rezultateve që kishte Burreli, e me pësimin e golave ata humbën kontrollin.
“Të them të drejtën e prisnim si sfidë të vështirë, pasi Burreli vinte me ndeshje jo të mira, por ekipi ynë hyri në fushë me eufori. U ndëshkuam shpejt në dy momente që edhe mund të mos e lejonim. Lufta jonë në këtë sezon ka qenë për të mbijetuar. Besëlidhja të gjitha ndeshjet i ka si finale. Kjo sot nuk ishte skuadra e Besëlidhjes, por ka edhe raste të tilla në futboll. Lufta është e fortë dhe unë besoj që do tja dalim që të mbijetojmë” – tha Bruka.