Burreli provon nesër në transfertë ndaj Tërbunit të Pukës

0

  Trajneri i Burrelit, Dorian Bubeqi do të ketë nesër sprovën e pare jashtë fushe që nga vendosja e tij në krye të pankinës matjane. Ekipi që ai drejton do të ketë një përballje të vështirë e cila do të luhet në transfetë. Java e 15 e këtij kampionati e ka vënë skuadrën matjane përballë Tërbunit të Pukës, ekip i cili deri tani ka patur një ecuri më të mirë se Burreli.

Për trajnerin Bubeqi kjo është një tjetër sprovë për të pas dy rezultateve pozitive të fituara në dyjavët e kaluara, ndeshje të luajtura në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit.

Matjanët janë përgatitur moralisht dhe fizikisht gjatë gjithë javës për të rrëmbyer pikë në këtë transfertë të vështirë me ekipin pukjan. Por pritet për tu parë përfundimi i 90 minutave të lojës së rregullt për të parë rezultatin e këtij takimi.

Ekipi i Pukës në 14 javë kampionat ka grumbulluar 20 pikë në total, ndërsa Burreli 15 pikë. Megjithatë, kampionati është ende shumë larg fundit, ndërsa synimi i ekipit matjan mbetet pozicionimi në vendet komode të kategorisë së parë.

Javën e ardhshme Burreli ka një tjetër sfidë të vështirë ku do të presë në shtëpi ekipin e Dinamos që është një nga pretendentët kryesor për ngjitjen në superligë.

Dritan Kurti