Ekipi matjan i futbollit do të përballet të shtunën në Kavajë me ekipin vendës të Besës. Matjanët shkojnë në këtë transfertë pas tri barazimeve radhazi në këtë fillim-fazë të dytë. Megjithatë, ata synojnë që në këtë ndeshje të dalin me fitore, për të thyer kështu edhe “tersin” e barazimeve që i ka ndjekur për tri javë radhazi. Tekniku Alert Alcani në mbyllje të sfidës së kaluar me Butrintit kërkoi ndjesë për këto barazime, duke vënë theksin tek finalizimi i aksioneve, pasi rastet për të shënuar kanë qenë të shumta. Pikërisht në këtë pikë është përqendruar stërvitje e kësaj jave. Stafi teknik ka punuar çdo ditë me repartin e sulmit, por pa lënë pasdore edhe repartet e tjera, në mënyrë që në transfertën me Besën e Kavajës të vijë edhe kthesa e madhe tek fitoret.
“Pas barazimit të mbajtur një javë më parë, kemi punuar shumë me repartin e sulmit. Shpresoj që këtë ndeshja të zgjidhim këtë ngërç dhe të rikthehemi tek fitoret. Në analizën pas ndeshjes janë evidentuar të gjitha problematikat e shfaqura në fushën e lojës në ndeshjen me Butrintin. Lojtarët janë në gjendje të mirë dhe shpresplotë që do tja dalin mban më në fund për të kaluar tek tri pikëshit, jo sepse barazimi është rezultat i keq, por nuk është ai që ne presim. Objektivi ynë është drejt kreut dhe këtë mund ta arrijmë vetëm duke marrë pikë të plota. Shpresoj dhe besoj fort që do tja arrijmë të fitojmë përballë Besës edhe pse e dim që do të jetë një ndeshje shumë e fortë, pasi kemi të bëjmë me një ekip me shumë traditë në futbollin shqiptar” – tha Alcani.