Burreli nuk ja del në Ballsh, mundet 1 me 0 nga Bylisi

0

  Ekipi i Burrelit nuk ja ka dalë mbanë të rikthehet tek fitorja në ndeshjet në transfertë. Matjanët luajtën të shtunën në Ballsh përballë ekipit vendës të Bylisit, ku u mundën më rezultatin minimal 1 me 0. Djemtë e drejtuar nga tekniku Alert Alcani nuk kanë mundur të shënojnë në portën vendase edhe pse rastet nuk kanë munguar në këtë sfidë.

Nga ana tjetër, ballshiotët kanë arritur të gjejnë golin e vetëm që ju dha tri pikë të vlefshme që në minutën e 38 me Ruçin. Aktivizimi në pjesën e dytë të Daijas, Efijong, Stanës dhe Kolecit, nuk ka ndryshuar asgjë. Vendësit arritën ta mbronin mjaft mirë rezultatin deri në vërshëllimën e mbylljes së lojës totale nga gjyqtari i katërt.

Përballja me Bylisin ishte parashikuar e vështirë për shkak të  rezultateve të këtij ekipi që nga fillimi i kampionatit. Ndërkohë, të luajturit në transfertë dhe përballë një ekipi shumë të fortë i ka bërë matjanët të ndjehen disi në disfavor në fushën e gjelbërt. Megjithatë, tashmë vëmendja do të përqendrohet në ndeshjen e radhës. Humbja e të shtunës e Burrelit nuk ka ndryshuar asgjë për Burrelin i cili vijon të jetë i pozicionuar në vendin e 7.

Përgatiti: Arlind Vani