Burreli nuk di të fitojë, tre barazime radhazi, 0-0 edhe me Butrintin

0


Është zhvilluar të shtunën në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit ndeshja mes ekipit matjan dhe atij të Butrintit. Skuadra e drejtuar nga tekniku Alert Alcani nuk e ka gjetur as në këtë përballje fitoren, duke shënuar barazimin e tretë radhazi në fazën e dytë të këtij kampionati. Loja nisi me grintë dhe euforizëm në kampin matjan duke tentuar direkt sulmin në portën kundërshtare, e nga ana tjetër miqtë u mbrojtën mjaft mirë. Megjithatë, rasti i parë për vendasit erdhi në minutën e 18 me Daijan, i cili mund të shfrytëzonte daljen e portierit Kaloshi, por gjuajtja e tij ishte e pasaktë. Ndërkohë miqtë tentojnë me Onuh në minutën e 33, i cili godet me kokë drejt portës së Kocës, por ky i fundit është i vëmendshëm dhe ndalon saktë topin. Pjesa e parë u mbyll me këto episode. Ndërsa edhe pjesa e dytë e këtij takimi nisi me sulmin e matjanëve. Është Daija i cili mund të shfrytëzonte një pasim të saktë të Stafës, por edhe pse ndodhej fare pranë topin nuk e prek atë për ta dërguar në rrjetë.
Sarandjontët fokusohen në mbrojtje për të mbajtur portën e paprekur. Sulmet e tyre në pjesën e dytë ishin sporadike por pa vënë në rrezik portën matjane. Ndërkohë, trajneri Alcani bëri ndryshimet e arsyeshme duke aktivizuar Olivierën, Farrukun, Mëllugjën e Çemën. Po as me këto zëvendësime nuk pati ndryshim rezultatin. Në minutën e 65 është Fabio Hasa që godet fort me të majtën e tij, por portieri Kaloshi nuk lejon topin të prekë rrjetën. Këto dy episode mbyllën edhe këtë pjesë bashkë me 5 minutat shtesë të dhëna nga gjyqtari. Për trajnerin e Burrelit Alert Alcani, barazimi është një zhgënjim për këtë rezultat. Ai e gjen fajin tek sulmi i cili sipas tij nuk po funksionon siç duhet. Alcani kërkoi ndjesë ndaj tifozërisë për këto rezultate, por shpreson se ndryshimi do të vijë që në ndeshjen e radhës.

Ndërsa të kundërtën thotë trajneri i ekipit “Butrinti”, Artan Bano. Ai është i kënaqur me të tijët që arritën të marrin një pikë shumë të vlefshme në Burrel ndaj një ekipi të vështirë.

Burreli vijon të pozicionohet në vendin e 6 në kuotën e 26 pikëve, ndërsa Butrinti në vendin e 12 me 18 pikë të grumbulluara.