Burreli nuk di të fitojë, barazim edhe me ekipin e Kukësit të vendit të fundit

Burreli nuk di të fitojë, barazim edhe me ekipin e Kukësit të vendit të fundit

Janë zhvilluar këtë të shtunë të gjitha ndeshjet ejavës së 26 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Ekipi ynë “Burreli” priti në “Liri Ballabani” skuadrën e “Kukësit”, një ndeshje kjo e konsideruar e vështirë për shkak të ndryshimeve të bëra në janar nga kuksjanët. Djemtë e ekipit të Burrelit e nisën ndeshjen me euforizëm në drejtim të portës rivale, por pa arritur të finalizojnë asnjë nga aksionet e nisura. Pjesa e parë u mbyll vetëm me disa episode të thjeshta, por pa ndonjë ndryshim në rezultat. Edhe pjesa e dytë nisi me sulme të shpeshta të matjanëve drejt gjysmëfushës kundërshtare por pa vënë në rrezik portën e mbrojtur nga Oriola. Ndërkohë, teksa minutat kalonin ndeshja u kthye në nervozizëm, për shkak se asnjëra nga skuadrat nuk arrinte të shënonte golin e avantazhit. Si rezultat, gjyqtari kryesor i takimit akordoi mbi 8 kartonë të verdhë për futbollistë e të dy ekipeve. Në 90 minuta lojë të rregullt të dyja skuadrat nuk arritën të shënonin, ndërsa më e rëndësishme pika e marrë gjatë këtij barazimi është për ekipin kuksjan. Ekipi i Burrelit mbetet në vendin e 6 me 33 pikë të grumbulluara në 26 ndeshje të luajtura deri tani. Ndërkohë, ekipi i Kukësit vijon të jetë i fundit në tabelë me vetëm 18 pikë. Ndeshjet e tjera të luajtura sot përfunduan: Iliria – Kastrioti 1 me 0, Besa – Pogradeci 2 me 3, Korabi – Laçi 0 me 1, Apolonia – Skënderbeu 0 me 1 dhe Lushnja – Luftëtari 0 me 0.