
Ekipi i futbollit “Burreli” do të udhëtojë nesër drejt Peshkopisë ku do të përballet me ekipin e Korabit. Matjanët do të shkojnë në këtë takim pa trajnerin Alcani i cili u larguar nga pankina vetëm dy ditë më parë. Megjithatë këtë të premte skuadra është stërvitur nga dy zëvendëstrajnerët, Renato Hoti dhe Kastriot Rama. Ata morën udhëzimet e fundit për të qenë më në formë në përballjen me dibranët.
Ndërkohë, Administratori i Klubit të Futbollit Burreli, Bajram Ballabani tha se djemtë janë në formën më të mirë të mundshme, me moral të lartë dhe të vendosur për të marrë pikë nga kjo ndeshje. Ballabani ka komentuar edhe largimin e trajnerit Alert Alcani. Ai tha se trajneri nuk qëndroi korrekt siç bëri klubi me të i cili i dha të gjitha rrogat e dietat për të cilat është rënë dakord që në fillim.
Pas largimit zyrtarë të ish trajnerit Alcani, klubi ka nisur bisedimet për të gjetur zëvendësuesin e tij, i cili do t’i besohet të drejtojë skuadrën në pjesën e mbetur të kampionatit të kategorisë së parë. Ndërkohë, ditën e shtunë në orën 11:00 klubi ka vënë në dispozicion të tifozëve dy autobuz për të udhëtuar drejt Dibrës.