Rekamë

Ekipi ynë i futbollit “Burreli” luajti në transfertë ndeshjen e javës së tretë të kategorisë së parë ku u përball me Vorën. Ndeshja e zhvilluar pasditen e së hënës në stadiumin e Vorës përfundoi me rezultatin 3 me 1 në favor të vendasve. Kanë qenë këta të fundit që e zhbllokuan rezultatin që në minutën e 5 me Çardakun dhe vetëm pas 9 minutash ka dyfishuar rezultatin Avdiu.

Pjesa e parë e këtij takimi është mbyllur me rezultatin Vora 2 e Burreli 0. Ndërkohë, dy gola janë shënuar edhe në pjesën e dytë. Burreli arrin të shënojë golin e nderit në minutën e 69 me protagonist Fetajn. Vetëm tetë minuta më vonë ekipi i Vorës trefishon rezultatin me Raboshtën.

Ndërkohë në minutat e mbetura nuk ka ndryshim rezultati duke bërë që fitues i vetëm në këtë përballje të dalë ekipi i Vorës me tri pikë të plota.

Në tre ndeshje të luajtura deri tani, matjanët kanë dy humbje dhe një barazim, duke siguruar vetëm 1 pikë. Ndërkohë, këtë javë, Burreli pret në “Liri Ballabani”, ekipin e Lushnjës, duke shpresuar që të mbyllet me fitoren e parë për këtë sezon futbollistik.