
Ekipi i futbollit “Burreli” po vijon testimet e sportistëve të grumbulluar në merkaton e verës. Pas miqësores së luajtur të mërkurën me nënkampionët U19 të Shqipërisë, Shënkollit të Lezhës, ku Burreli fitoi me rezultatin 5 me 0, matjanët do të përballen të shtunën me ekip të superligës. Matja e forcës dhe testimi i lojtarëve të grumbulluar sëfundmi do të bëhet në transfertë ndaj Kastriotit të Krujës, ndeshje e cila do të luhet në Fushë-Krujë. Drejtues të stafit teknik dhe ato të Klubit thanë se këto miqësore po i shërbejnë shumë skuadrës sidomos në disa element teknik siç është loja në grup. Duke qenë se një pjesë e mirë e futbollistëve të zyrtarizuar vijnë nga ekipe të ndryshme, loja në grup dhe bashkëpunimi në fushën e gjelbërt është pika më e fortë ku po punohet aktualisht. Ndonëse një ditë më parë, matjanët zyrtarizuan rikthimin e Sadush Danajt në rolin e qendërmbrojtësit, mesa duket do të jetë afrimi i fundit të paktën deri në fund të fazës së parë. Për kategorinë e parë ende nuk ka një datë të sigurtë se kur do të nisë kampionati i ri, megjithatë ekipet po përgatiten me intensitet në mënyrë që të jenë gati për garën e vërtetë.