
Matjanët do të luajnë të shtunën ndeshjen e radhës në transfertë. Djemtë e drejtuar nga tekniku Alert Alcani përballen me ekipin e Pogradecit. Matjanët shkojnë në këtë përballje pas një tjetër fitoreje të arritur një javë më parë në stadiumin “Liri Ballabani” ku mundën me rezultatin e pastër 3 me 0 ekipin e Turninës së Cërrikut. Megjithatë, djemëve ju është porositur qëndrimi me këmbë në tokë pasi ndeshja e radhës e cila luhet këtë të shtunë është një tjetër transfertë e vështirë.
Skuadra ka zhvilluar gjatë gjithë javës seancat e nevojshme stërvitore për tu përgatitur qoftë nga ana taktike por edhe morale. Drejtues të stafit teknik thanë se është e rëndësishme që morali i skuadrës të jetë i lartë, por pa kaluar në eufori. Çdo kundërshtar është i fortë, e sidomos kur është në fushën e tij. Megjithatë, djemtë janë porositur për të dhënë më të mirën dhe qëllimi mbetet i njëjtë si në çdo ndeshje tjetër, të marrë rezultatin maksimal. Ekipi i futbollit Burreli vijon të jetë i pozicionuar në vendin e shtatë në kuotën e 32 pikëve, ndërsa Pogradeci në vendin e 12 me 23 pikë të mbledhura deri tani.