Burreli luan ndeshjen e fundit për këtë vit kalendarik

0

Kampionati i kategorisë së parë në futboll do të zhvillojë të mërkurën ndeshjet e fundit për këtë vit kalendarik. Matjanët do të luajnë në tranfertë ndaj Turbinës së Cërrikut, një ndeshje kjo që pritet të jetë e vështirë për shkak edhe të ngjarjeve që kanë rrjedhur javët e fundit.

Në përballjen e 12 matjanët do të shkojnë në Cërrik për ta mbyllur me tri pikë të plota pas një barazimi të mundimshëm në javën e 11 me Korabin e Dibrës, ndeshje në të cilën pati jo vetëm polemika, por u kthye në një arenë boxi me goditjen që i bëri Mziu lojtarit të Burrelit, Ruçaj.

Djemtë e Burrelit kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në fushën sportive “Dali Farruku” për të qenë në formën më të mirë të mundshme nesër në përballjen me Turbinën.

Drejtues të stafit teknik por edhe të klubit thanë se djemtë janë optimist pavarësisht asaj çfarë ka ndodhur javën e fundit në “Liri Ballabani”, ku ju mohuan gola Burrelit, por edhe pati dhunë nga ana e lojtarëve dibranë.