
Ekipi i futbollit “Burreli” do të përballet në javën e dytë të këtij kampionati me ekipin e Vorës. Ndeshja në transfertë për matjanët do të zhvillohet të dielën, ndryshe nga skuadrat e tjera të grupit A që do të luajnë të shtunën. Vora është rikthyer këtë sezon në kategorinë e parë pasi në sezonin që lam pas ishte në kategorinë e dytë.
Ndërkohë matjanët kanë vijuar me përgatitjen që pas ndeshjes së fituar në mesjavë ndaj Veleçikut të Koplikut me rezultatin e thellë 5 me 2. Djemtë e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj nuk janë euforik pasi çdo kundërshtar në fushë duhet vlerësuar njëlloj. Megjithëse Vora u mund të Mërkurën në Lezhë nga Besëlidhja me rezultatin 3 me 1, matjanët i kanë dhënë seriozitetin maksimal stërvitjes, duke parë edhe problemet që dolën nga ndeshja në shtëpi.
Drejtuesit e Klubit kanë kërkuar seriozitet maksimal në çdo ndeshje dhe që të mos nënvlerësohet asnjë prej kundërshtarëve të grupit A në kategorinë e parë.