
Ekipi i Burrelit ka arritur ta mbyllë me fitore fazën e parë të këtij sezoni. Matjanët fituan dy me zero të Enjten në stadiumin “Liri Ballabani”, ndaj Maliqit. Dopjeta e Kryemadhit i dha trajnerit Alcani fitoren e tretë radhazi që prej marrjes së detyrës në krye të pankinës matjane. Sa i përket lojës, ajo solli dy tablo, një pjesë të parë pothuajse të dominuar nga miqtë dhe një pjesë të dytë të dominuar totalisht nga matjanët. Pjesa e parë nuk prodhoi shumë raste, me ndryshim të disa mundësive për tu future në zonë, por portierët Koca e Lamellari nuk u vunë në vështirësi. Ky fraksion u mbyll me porta të paprekura, ndërsa pjesa e dytë u dominua totalisht nga miqtë të cilët që prej minutës së 62 ishin edhe në avantazh numerik në fushë pas daljes me të kuqe të qendërmbrojtësit të Maliqit, Abei. Ky i fundit shfaqi nervozizëm pothuajse gjatë gjithë lojës dhe për këtë ishte ndëshkuar njëherë me të verdhë. Ndërsa mori kartonin e kuq teksa goditi me kokë në trup mbrojtësin Fabio Hasa. Në minutën e 65 do të vinte edhe goli i parë për matjanët. Farruku gjuan me kokë drejt portës mike, Lamellari grushton, Bali nuk e ndihmon dot, ndërsa aty pranë ndodhet Kryemadhi i cili shfrytëzon paaftësinë e mbrojtësit mik dhe dërgon topin në rrjetë.
Miqtë tentojnë të barazojnë shifrat me Ivanin e Qeleshin por nuk arrijnë të finalizojnë asnjë nga aksionet e nisura. Nga ana tjetër vendësit nuk janë të kënaqur me një gol, duke kërkuar me ngulm dyfishimin e rezultatit i cili vjen në minutën e 86. Protagonist i golit të dytë është sërish Kryemadhi, i cili merr një tjetër passim nga Farruku dhe mes dy lojtarëve të Maliqit shënon golin e dytë të tij dhe të fundit për këtë takim.
Për trajnerin e Burrelit, Alert Alcani, kjo fitore ishte vijimësi e dy të parave dhe pavarësisht problemeve që u konstatuan sidomos në pjesën e parë, është i kënaqur me tri pikët.
“Ishte një pjesë e parë e cila nuk ishte në favorin tonë. Arsyeja ndoshta janë edhe dy fitoret radhazi duke na vendosur disi në gjumë. E kisha përgatitur ekipin për një ndeshje të vështirë, pasi nuk ka rëndësi se ku është i pozicionuar kundërshtari. Fatmirësisht skuadra reagoi në pjesën e dytë dhe jam i kënaqur me tri pikët. Përsa i përket tre fitoreve radhazi, ne prandaj kemi ardhur këtu. Në sensing edhe të një batute, nuk na kanë sjellë këtu për të humbur por për të fituar” – e mbylli deklaratën e tij Alert Alcani.
Nga ana tjetër, për trajnerin e Maliqit, Egli Malësia, ekipi i tij bëri lojë të mirë në pjesën e parë, ndërsa nuk arriti të mbrohej siç duhet në pjesën e dytë, duke pësuar dy gola.
“Kemi krijuar disa raste për të shënuar gol, por nuk jemi treguar të saktë para portës dhe si rezultat pësuam dy gola për fajin tonë. Sidomos golin e parë e falëm, nuk e shënoi Burreli. Keqardhje se si i kemi pësuar golat. Në një pjesë të mirë të ndeshjes kemi krijuar volum loje por edhe raste. Po nuk shënove, aq më tepër gabon dhe e pëson” – përfundoi Malësia.