
As takimi i kësaj të marteje mes përfaqësuesve të Ligës Profesioniste të futbollit në vendin tonë dhe qeverisë, nuk ka dhënë rezultat. Palët nuk kanë gjetur consensus për çbllokimin e bojktotit të kampionatit nga ekipet e superligës.
Ndonëse pritej që sot të dilnin edhe datat kur kategoria e parë do të niste kampionatin, nuk ka ndodhur. Kështu, ekipet e kësaj kategorie duhet të presin edhe më shumë dhe të shpenzojnë nga buxheti i tyre derisa të arrihet një marrëveshje që dhe superliga të zbresë në fushë.
Nga takimi i sotëm mësohet se është afruar marrëveshja, e cila pritet të finalizohet nga fundi i javës. Mendohet që të premten palët do të zhvillojnë një takim me kryeministrin Edi Rama, ku dhe pritet të zbulohet nëse ka marrëveshje apo jo. Liga Profesioniste ka propozuar nga ana e saj zgjidhjen e ngërçit, ndërkohë që tashmë përfaqësuesit e qeverisë thonë se shumë prej pikave duan ndryshim të kuadrit ligjor, siç është ajo për faljen e gjobave.
Ekipet e kategorisë së parë janë në pritje të dritës jeshile, për të zbritur në fushë për të nisur kampionatin e sezonit 2020 – 2021.