Rekamë

Unaza e poshtme e qytetit të Burrelit, e cila vijon të jetë problematike për kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë, është inventarizuar nga ARRSH. Sa herë ka reshje shirash, kalimi në këtë segment bëhet thuajse i pamundur për ta. Ndërkohë, që kjo është alternativa e vetme që këto mjete të kalojnë, pasi është ndaluar me vendim të këshillit bashkiak Mat lëvizja e tyre në unazën e sipërme.

Prej pak javësh, kjo rrugë tashmë është nën përgjegjësinë e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Me vendim të Këshillit të Ministrave, kjo rrugë është inventarizuar nga ARRSH dhe është përgjegjësi e kësaj të fundit që ta mbajë funksionale për kalimin e automjeteve në të.

Të kontaktuar nga ana jonë, përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar thanë se pas kalimit në inventarin e tyre, po shihen mundësitë e investimit në këtë rrugë që ka një gjatësi totale prej 1.5 kilometra, ndërsa afërsisht vetëm 1 kilometër është e paasfaltuar.

Pranë ARRSH është depozituar dy vite më parë nga Bashkia Mat një projekt për rikonstruksionin e plotë të rrugës së Unazës së poshtme të qytetit të Burrelit, ndërsa pritet që të financohet dhe të bëhet lehtësisht e kalueshme në çdo periudhë të vitit.

Kjo unazë i bashkangjitet segmentit nacional Skuraj – Burrel – Peshkopi e cila përfshihet në rrugët e rajonit Qëndror e Verilindor.