Burrel – Skuraj, rruga e rrezikshme për shkak të deformimit të trasesë

0
240

 Aksi rrugor nacional Burrel – Skuraj, prej 36 kilometrash, vijon të mbetet një nga akset më problematike në të gjithë Qarkun Dibër, por jo vetëm. Në këtë rrugë nuk është bërë investim i mirëfilltë që prej ndërtimit të saj, ndërsa me interval të ndryshme janë mbushur gropa apo janë riparuar pjesë të papërfillshme.

Situata mbetet shqetësuese kryesisht në segmentin nga qyteti i Burrelit deri tek Ura e Ulzës. Kjo për shkak të deformimit të madh që ka pësuar traseja. Kjo gjë vihet re që në vendin e quajtur “Pularia” vetëm 2 kilometra larg qytetit të Burrelit.

Siç duket nga pamjet, deformimi i rrugës është aq i madh saqë nëse nuk je i informuar më parë, drejtuesi i automjetit mund të humbasë kontrollin.

Si kjo pjesë, janë edhe shumë pjesë të tjera të kësaj rruge, të paktën deri tek ura e Ulzës. Vazhdimisht ekspertët e rrugëve kanë kërkuar që për këtë aks të mos lëvrohen fonde mirëmbajtje rutinë, pasi nuk e zgjidhin aspak problemin me gropat që mbushen jashtë çdo lloj standardi.

Ata propozojnë që rruga t’i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë, siç është bërë me segmentin tjetër të rrugës nacionale Peshkopi – Skuraj, nga Klosi në Burrel.