Burrel – Rrëshen, rruga drejt bllokimit, masive dheu bllokojnë gjysmën e aksit
Aksi rrugor nacional Burrel – Rrëshen mbetet ndër segmentet më të degraduara në vendin tonë për shkak të problemeve të shumta që ka në të. Ndonëse herë pas here gropat që shfaqen mbushen me zhavor, problematike mbeten shembjet që ka pësuar të afërsi të urës së Urakës. Shpati i kodrës është drejtuar drejt rrugës ku ka bërë edhe bllokimin e gjysmës së karrexhatës. Dheu e balta po zbresin poshtë çdo ditë ku edhe pse pastrohet nga firma, shembja nuk gjen qetësi. Për drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerët, kjo gjendje është e papranueshme dhe se shumë shpejt kjo rrugë mund të bllokohet për shkak të shembjeve të mëdha që pëson. Ata i kërkojnë Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe institucioneve të tjera të ndërhyjnë menjëherë jo vetëm duke kërkuar llogari ndaj firmës, por të planifikojnë një investim të mirëfilltë për këtë rrugë që lidh Qarkun e Dibrës me Qarkun e Lezhës. Aksi rrugor nga Ura e Matit në Rrëshen ka probleme të mëdha, ku investimet e fundit janë bërë në ndërtimin e disa mureve, por kjo është e pamjaftueshme për qarkullimin normal të automjeteve.