Si në çdo Vit të Ri qytetarë të ndryshëm vrapojnë të blejne mjete piroteknike, si kapsolla fishekzjarre etj. Ky fenomen ishte ndalur dy vitet e fundit dhe qytetarët ndjenë njëfarë qetësie, por prej ditësh kjo qetësi është humbur, pasi ka filluar sërish fenomeni i para disa viteve. Ndërsa nga policia në Qarkun e Dibrës nuk kemi ndonje njoftim zyrtar për masat e marra. policia e shtetit ne qarqet e tjera ka vijuar kontrollet.

Njoftimi i Policise se shtetit

Vijon zbatimi i masave për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve dhe përdorimit civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Sekuestrohen 4600 kapsolla dhe 51 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.

Nga strukturat e Policisë, gjatë kësaj jave në të gjitha qarqet, janë ushtruar kontrolle në subjekte “Për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve në prag të festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri” dhe si rezultat:

Janë kontrolluar gjithsej 1592 subjekte (dyqane të ndryshme, markete apo supermarkete), si dhe tregje të shumicës, ku janë konstatuar mallra fishekzjarrë apo lëndë piroteknike.

Në Kukës, gjatë kontrollit të ushtruar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës, në dyqanin e shtetasit G. G., 51 vjeç, banues në Kukës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4508 kapsolla dhe 51 fishekzjarrë me fuqi të madhe shpërthyese. Shtetasi G. G. u procedua penalisht në gjendje të lirë dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Në Lushnjë, nga kontrollet e ushtruara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë janë evidentuar dy raste, konkretisht në dyqanin e shtetasit A. C. janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 47 kapsolla dhe në dyqanin e shtetasit N. P. janë gjetur dhe sekuestruar 45 kapsolla me fuqi të madhe shpërthyese dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve. Për këtë ngjarje pronarët e dyqaneve janë ndëshkuar me gjobë, veprim i kryer në bashkëpunim me shërbimin e zjarrfikësit e Lushnjës.

Kontrollet do vijojnë pa ndërprerë në të gjithë territorin dhe në këtë kontekst Policia e Shtetit fton qytetarët për të denoncuar çdo rast të tregtimit të lëndëve të mësipërme në numrin pa pagesë 112 apo në aplikacionin “Komisariati Dixhital”.