Burrel / Po rikonstruktohet unaza e poshtme e qytetit

Burrel / Po rikonstruktohet unaza e poshtme e qytetit
Qeveria shqiptare ka nisur një investim të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në qytetin e Burrelit. Në unazën e poshtme po zhvillohen punime intensive që përfshijnë vendosjen e mureve mbrojtëse për sigurinë e qarkullimit dhe mbrojtjen e rrugës nga rrëshqitjet e dheut, instalimin e tubacioneve për menaxhimin e ujërave dhe kanalizimeve, si dhe asfaltimin e plotë të aksit për një qarkullim më të shpejtë e komod. Ky segment rrugor, prej më shumë se tre dekadash në gjendje të amortizuar, ka qenë burim shqetësimi sidomos për drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë që transportojnë krom nga Bulqiza drejt Durrësit. Shpesh, ai ka qenë edhe objekt protestash për shkak të mungesës së infrastrukturës minimale për qarkullim. Falë ndërhyrjes së ish-kryetarit të Bashkisë Mat, aktualisht deputet i qarkut Dibër, Agron Malaj, u bë e mundur zhbllokimi i fondit pranë Ministrisë përkatëse dhe nisja e rikonstruksionit. Punimet, të projektuara për të përballuar tonazhe të larta në qarkullim dhe për të lehtësuar lëvizjen e përditshme, kanë një vlerë prej mbi 128 milionë lekësh nga buxheti i shtetit. Për të parë nga afër ecurinë e tyre, në terren ishin deputeti Agron Malaj, kryetari i Bashkisë Mat në detyrë, Myslim Zeneli, si dhe drejtues të tjerë vendorë. Pjesë e projektit është edhe sistemimi i rrjetit të ujërave të zeza, një problematikë e kahershme për banorët e zonës, të cilët prej vitesh vuajnë ndotjen e lartë dhe mungesën e kanalizimeve funksionale. Autoritetet vendore deklarojnë se punimet do të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara, duke synuar jo vetëm përmirësimin e kushteve të transportit dhe rritjen e sigurisë, por edhe zhvillimin e mëtejshëm infrastrukturor të Burrelit.