
Përdorimi i kufizuar i qeseve plastike po vjen të gjejë zbatim jo vetëm tek qytetarët por edhe tek binzeset. Këta të fundit kanë eleminuar në maksimum dhënien e qeseve të pariciklueshme klientëve. Që prej hyrjes në fuqi të ligjit për ndalimin e qeseve plastike të pariciklueshme, bizneset janë pajisur me qese të riciklueshme dhe me letër.
Ndryshe nga qeset e zakonshme, qytetarët duhet të paguajnë për qeset e riciklueshme 10 deri në 20 lekë. Ndërkohë për asortimentet që duan paketim të veçantë, tregtarët ofrojnë letër, si ajo me të cilën shitet buka.
Gjatë një vëzhgimi të bërë nga ana jonë, edhe tek qytetarët po shihet ndryshimi pasi shumë prej tyre kanë siguruar çanta apo trasta të cilat i marrin që nga shtëpia për të blerë produktet e nevojshme në dyqane apo markete.
Qeveria i dha kohë binzesit që nga 1 Maji deri me 1 Korrik që të eleminojë 100% qeset plastike të pariciklueshme, ndërsa që nga dita e parë e korrikut ka nisur kontrolli në terren i taskforcës e cila nëse do të konstatojë shitjen e qeseve, do të gjobiten subjektet tregtare.