Kanë nisur aktivitetet në kuadër të “16 Ditëve të luftës kundër dhunës me bazë gjinore”, që po zhvillohen nga drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Matit. Aktiviteti i parë për këto ditë u zhvillua me të rinj të qytetit të Burrelit. Drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë Mat, Enea Gjyla tha se qëllimi është parandalimi i rasteve të dhunës, ndërsa për viktimat të ofrohet mbështetja e nevojshme.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu dhe Zëvendëskryetarja e Bashkisë Mat, Flutura Biba. Kryebashkiaku Malaj tha se për të minimizuar rastet e dhunës, duhet kontributi i të gjithëve e sidomos brezit të ri.
Ndërkohë në fjalën e tij, Prefekti Nexhbedin Shehu u shpreh se të tilla aktivitete ndërgjegjësuese i shërbejnë luftës me bazë gjinore.
Ndërkohë, për të pranishmit u shfaq një video ilustruese për dhunën në familje, ndërsa të rinjtë u angazhuan në dhënien e mesazheve sensibilizuese.