Bunkerët, gjurmët e komunizmit që ende jetojnë
U ndërtuan gjatë regjimit monist të Enver Hoxhës për të shërbyer për mbrojtje dhe strehim në rast lufte, por këto bunkerë nuk u përdorën asnjëherë për qëllimin që u ndërtuan.
Në fshatin Valikardhë të Bulqizës ende dhjetra bunker qëndrojnë ashtu siç i ndërtuan, e një pjesë prej tyre janë dëmtuar për t’ju marrë hekur dhe për ta shitur më pas për skrap.
Por teksa kalon në rrugën nacionale në drejtim të Maqellarës është e pamundur të mos e pikasësh pamjen e zonës me dhjetra bunkerë të asaj kohe.
Më të shumtë kanë mbetur bunkerët në fshatin Valikardhë që duken direkt nga rruga nacionale.
Ndërkohë sipas të dhënave, mësohet se në vendin tonë u ndërtuan rreth 170 mijë bunkerë të mëdhenj e të vegjël. Ekspertët llogaritin se kostoja e ndërtimit të një bunkeri të vogël shkon 2 mijë deri në 4 mijë euro me vlerën e lekut të sotëm, ndërsa një bunkeri të madh ka kushtuar afërsisht 10 deri në 20 mijë euro me çmimet e sotme.
Në zona të ndryshme të Shqipërisë bunkerët e mëdhenj janë privatizuar nga banorët, të cilët i kanë përshtatur duke kthyer në hapsira akomoduese dhe biznesi.