Bulqizë, vijon protesta e minatorëve

0
46

   Edhe këtë të enjte minatorët e Bulqizës kanë protestuar sërish, por në ditën e katërt të protestës në numër më të vogël, për shkak se kompania nuk ka lejuar të futen brenda ambjenteve punëtorët e turnit të dytë dhe të tretë. Protestuesit u mblodhën në pjesën hyrëse të galerisë së kromit duke kundërshtuar vendimet e marra nga kompania që menaxhon minierën më të madhe të Bulqizës. Në mbështetje të minatorëve protestues kanë shkuar edhe ish-minatorë.

Njëri prej tyre, ish-minatori Kadri Disha thotë se minatorët e Bulqizës duhet të mbështeten në protestën e tyre edhe nga sindikatat e të mos luftojnë të vetëm. Ai thekson se vendimi i kompanisë për të bërë edhe të shtunat ditë pune është i padrejtë. Disha shton se një tjetër padrejtësi ndaj minatorëve është mos miratimi i statusit të minatorit.

Prej disa ditësh dhjetra minatorë, të minierës që administrohet nga kompania turke Yildirim Holding, janë ngitur në protestë duke kërkuar rritjen e pagës, shfuqizimin e vendimit për të punuar edhe të shtunave dhe lëvrimin e 4% të inflacionit, një zë ky i akorduar nga shteti shqiptar.