Bulqizë, vijon përmbytja mes dy lagjeve, shkak mosfunksioni i sistemit kullues
Bizneset që ndodhen mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës vijojnë të jenë të përmbytura prej një muaji. Shkak për këtë është bërë uji që mblidhet që nga Qafa e Buallit në të dy anët e luginës. Uji ka dalë mbi rrugën lidhëse mes dy lagjeve, duke bërë që jo vetëm këmbësorët ta kenë të vështirë të kalojnë aty, por edhe automjetet. Niveli i ujit aktualisht është mbi 50 centimetra. Qytetarët që lëvizin në këmbë në këtë zonë detyrohen që të mbahen në kangjella e rrugës pasi e kanë të pamundur që të lëvizin në trotuar për shkak të prezencës së madhe të ujit.
Drejtuesit e mjeteve shprehen se po dëmtojnë makinat pasi uji shkon deri tek motorri i tyre. Sipas tyre, shkak për këtë përmbytje është bërë devijimi i kanalit kullues të ujërave të shiut si dhe bllokimi i tumbinos që e nxjerr ujin nga njëra anë në tjetrën.
Situata vijon e tillë prej afro një muaji, ndërsa deri tani Bashkia Bulqizë nuk ka bërë asgjë për ta zgjidhur këtë problematikë për qytetarët e saj.