Bulqizë/ Shupenza e “pushtuar” nga ujërat e zeza

0

Banorët e zonave rurale e kryesisht në ato ku banesat janë të grumbulluara po vuajnë mungesën e rrjeteve të ujërave të ndotura. Shupenza e Bulqizës është në një situatë sa problematike aq edhe alarmante për shkak të ndotjes që i shkaktohet nga prania e ujërave të zeza në sipërfaqe. Në mungesë të një investimi të mirëfilltë gjithëpërfshirës, banorët i kanë nxjerrë ujërat e ndotura në kanale të hapura. Kjo situatë i ka shqetësuar prej vitesh, por sipas tyre askush nuk po bën zgjidhje për ta. Banorët thonë se prania e ujërave të zeza në sipërfaqe është jo vetëm një ndotës i madh, por edhe burim infeksioni sidomos tani që temperaturat rriten ndjeshëm. Vetë banorët e Shupenzës tregojnë se problematika e tyre ka rënë në vesh të shurdhër, ndonëse e kanë ngritur disa herë pranë pushtetit vendor. Ata kërkojnë nga instancat përgjegjëse të merren masa të shpejta, pasi ndotja është gjithëpërfshirëse që nga tokat bujqësore, bagëtia e deri tek infeksionet që mund tju shfaqen njerëzve.

Ujërat e zeza në Shupenzë rrjedhin kudo në brendësi të lagjeve e përgjatë gjithë rrugës nacionale.