Bulqizë, sekuestrohet lëndë drusore kontrabandë

0


Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, efektivët e policisë së Qarkut Dibër dhe ato vendore vijojnë kontrollin për parandalimin e prerjeve të paligjshme në pyje. Gjatë kontrollit të radhës në një aksionion të përbashkët nga inspektorët e IKMT Qarku Dibër dhe efektivët e policisë së Bulqizës është bllokuar një mjet me lëndë drusore shtyllë minjere pa dokumentacion të rregullt.
Sipas IKMT lënda drusore ishte prerë në ekonominë pyjore “Liqeni i Zi” të Bulqizës.
Grupi i taskforcës bllokoi dhe sekuestroi një kamion të ngarkuar me lëndë drusore e asortimentit shtylle minjere në sasinë 8 m3. Mjeti i transportit dhe lënda drusore u dërguar në ambjentet e policisë vendore, ndërsa drejtuesi i tij po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.
Megjithë aksionet dhe bllokimet e muajve të fundit, prerja e paligjshme e pyjeve në Qarkun Dibër vijon të mbetet një problem evident. Persona të ndryshëm presin pemët qoftë për dru zjarri e qoftë për shtylla minjere kryesisht në zonën e Bulqizës.