Bulqizë/ Rruga e Bllacës drejt përfundimit, përfitojnë qindra banorë

0

Bashkia Bulqizë vazhdon punën për riparimin e rrugës në fshatin Bllacë e cila është drejt përfundimit.

Kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla tha sot se ndërhyrja në rrugën e Bllacës, Njësinë Administrative Shupenzë po shkon drejt përfundimit, për t’i lënë radhën rrugëve dhe zonave të tjera.

“Prej ditësh po punohet për hapjen e saj, si edhe pastrimin dhe ndërtimin e kanaleve kulluese dhe mureve mbrojtëse. Keqardhje për harresën në të cilën zona të tëra të Bulqizës janë lënë për vite me radhë dhe përgjegjësi për të ringjallur shpresën e banorëve në të gjithë Bashkinë tonë”, tha ai.

Po ashtu, Alla shtoi se “ekipet tona do të jenë në terren në çdo anë të Bulqizës, për të hapur dhe ndërtuar rrugë kudo që ka nevojë”.

“Edhe sot e kësaj dite po përballemi me një infrastrukturë rrugore të rrënuar, me nevoja të jashtëzakonshme për të ndërhyrë. Ne do të jemi anekënd Bulqizës”, tha ai.

Përfundimi i rrugës së Bllacës në njësinë administrative Shupenzë u shërben qindra banorëve për lëvizjen e lirë, transportin e mallrave dhe lidhjen me njësitë e tjera administrative.

Marre nga ATSH