BULQIZË, PUNOI 25 VITE NË EMIGRACION, TASHMË PO INVESTON SUKSESSHËM NË VENDLINDJE

0
68

Një histori suksesi vjen nga fshati Çerenec i Poshtëm, Njësia Gjoricë, Bashkia Bulqizë, ku Xhevat Izvira, pas 25 vitesh emigrimi në Greqi, ka vendosur të rikthehet dhe të investojë në tokën e tij. Me eksperiencën e fituar, ai ka zgjeruar sipërfaqen e tokës së punueshme në 13 dynymë, duke mbjellë pemë frutore si kumbulla, qershi dhe rrush. Eksperiencën e marrë në Greqi, tani do ta implementojë në vendlindje, pasi thotë ai, si vendlindja jote nuk ka. 

Xhevati tregon se shteti në Greqi të ndihmon për gjetjen e tregut, apo dëmtimin e prodhimit, ku fermeri i dëmtuar paguhet rreth 50 % të kostos së shpenzuar. Por këtu në Shqipëri ai thotë se kërkon nga shteti vetëm ta ndihmojë për gjetjen e tregut të prodhimit.

Shqetësimi tjetër që ngre Xhevati është humbja e viteve të pensionit, pasi për 25 vite ka punuar me dokumentacion të rregullt të shtetin grek. Por Xhevati shpreson që të arrihet një marrëveshje mes dy shteteve, si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në fund, ai ka një thirrje për bashkëatdhetarët e tij: të rikthehen dhe të investojnë në vendlindjen e tyre, sepse, siç thotë ai, “si vendi yt nuk të bëhet asnjë vend tjetër.”