Kanalet kulluese të rrugës nacionale Shupenzë – Peshkopi janë kthyer në problem për banorët pasi ujërat përfundojnë në rrugë dhe banesat e tyre. Ndonëse rruga është dhënë për mirëmbajtje nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, kanalet kulluese janë lënë pa pastruar. Për pasojë, uji që vjen nga vaditja e tokave, por edhe kur ka reshje shirash, përfundon në banesa. Emigranti Mikel Xheta nga Shupenza thotë se çdo vit kur kthehet me pushime në vendlindje përballet me këtë situatë. Mikeli shprehet se çdo vit ka paguar punëtorë për ta bërë këtë punë, por këtë vit nuk ka mundur të gjejë dot, ndaj i është dashur ta pastrojë vetë kanalin e rrugës nacionale. Ai thotë se të gjithë ujërat që rrjedhin nga lart, përfundojnë në banesën e tij.
Nga ana tjetër, Mikel Xheka thotë se në vendin ku jeton ai në Itali, nuk ndodh një gjë e tillë pasi sapo të bësh ankesën, institucionet reagojnë menjëherë.
Në kontratën B të rrugëve të Rajonit Qëndror e Verilindor janë dhënë mbi 12 milion euro për mirëmbajtje, por banorët që preken nga aksi nacional Skuraj – Peshkopi, thonë se firma nuk po e bën detyrën e saj.