
Bulqiza është përfshirë nga reshjet e borës këtë të hënë. Reshjet kanë nisur në orët e paradites duke përfshirë të gjithë territorin e kësaj bashkie.
Probleme u shënuan në rrugët rurale të zonave të thella malore të disa njësive administrative si Krastë, Zerqan, Fushë Bulqizë, Ostren e Trebisht. Në disa nga fshatrat e këtyre njësive trashësia e borës shkoi deri në 15 cm shoqëruar me temperatura të ulta.
Për Nënprefektin e Bulqizës, Avni Muliu situata të tilla janë të pritshme në këtë periudhë dhe se sipas tij instancat vendore janë në gatishmëri të plotë për ndërhyrje në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të motit.
Ndërkohë meteorologët kanë parashikuar përmirësim të motit në ditët në vijim, por temperaturat do të zbresin disa gradë nën zero.