
Banorët e lagjes së vjetër të Bulqizës nuk do të lëvizin më mes baltës dhe pluhurit përgjatë unazës që nis nga spitali e përfundon tek komisariati i policisë. Rehabilitimi i kësaj rruge është bërë me ritme të shpejta ku brenda pak ditëve, rrugës i është hedhur shtresa e parë asfaltike.
Drejtues të punimeve thanë se procesi do të vijojë pa ndërprerje në ndërtimin e trotuareve për këmbësorët si dhe vendosjen e ndriçimit. Për banorët e kësaj lagjeje, kjo rrugë ishte kthyer në një gangrenë të vërtetë pasi prej dekadash përballeshi me baltë në dimër e me pluhur të madh në verë. Vetë banorët shprehen se tashmë ky makth do të marrë fund pasi rikonstruksioni i plotë i eleminon këto problematika të mëdha.
Investimet në lagjen “Minatori” pritet të prekin edhe hapsirat publike brenda blloqeve të banimit, duke i kthyer ato në shërbim të qytetarëve, pas edhe të shembjes së objekteve paleje.