Bulqizë, mungesa e urës vë në rrezik jetën e dhjetra banorëve

Bulqizë, mungesa e urës vë në rrezik jetën e dhjetra banorëve

Dhjetra banorë të fshatit Fushë e Vogël, në Njësinë Administrative Fushë Bulqizë, Bashkia e Bulqizës, rrezikojnë jetën teksa kalojnë mbi këtë urë të improvizuar e ndërtuar prej tyre. Ata detyrohen që të kalojnë mbi urën aspak të sigurtë për të dalë në rrugën nacionale Peshkopi – Bulqizë. Banorët thonë se kalimi në të është shumë i rrezikshëm pasi kur ka prurje të shumta në zallin e Bulqizës, uji kalon mbi urë dhe rrezikon t’i rrëmbejë. Situata më shqetësuese bëhet për fëmijët e shkollës dhe punëtorët e nëntokës që duhet të kalojnë natën në të. Sipas banorëve, prej 35 vitesh është kërkuar prej tyre dhe premtuar prej pushtetarëve ndërtimi një ure të sigurtë, por deri tani premtimet kanë mbetur vetëm në letër. Fryrja e madhe e zallit të Bulqizës jo vetëm rrezikon urën, por përmbyt edhe rrugën që kalojnë banorët duke i detyruar ata të futen në ujë në këto temperatura të ftohta dimri. Banorët i bëjnë thirrje pushtetit vendor të ndërhyjë sa ende nuk ka ndodhur ndonjë tragjedi njerëzore, pasi pak kohë më parë, një minator që kthehej nga puna është rrëzuar nga ura duke rënë ne ujë, dhe që për fat të mirë shpëtoi.