Në një kohë që familja Tola hapi këtë të shtunë dyert e mortit për tre viktimat e të premtes, Rajmondën dhe dy fëmijët e saj, të afërmit hedhin poshtë dyshimin e helmimit nga gazi dhe mangalli. Të afërm të familjes të cilët kanë asistuar të parët paraditen e së premtes ku konstatuan trupat e pajetë të Rajmonda, Rudina e Fatjon Tolës thanë se nuk kanë gjetur bombul gazi në dhomën e gjumit ku janë gjetur katër pjestarët e familjes mes tyre edhe vajza e vogël Merita e cila është e vetmja e mbijetuar në këtë tragjedi. Familjarët thanë se dyshimi bie mbi ushqimin që kanë gjetur aty. Megjithatë grupi hetimor ka punuar për të sqaruar shkaqet e kësaj tragjedise ndonëse me rëndësi është dalja e rezultateve të mjekësisë ligjore.
Ndërkohë pranë familjes për të shprehur ngushëllimet ishte edhe Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla dhe deputeti i zonës Halil Jakimi. Alla tha se të gjitha shpenzimet mortore do të mbulohen nga bashkia.
Ndërkohë qindra njerëz jo vetëm nga Ostreni ishin për ngushëllim në familjen Tola. Ata shprehen se kanë mbetur të shokuar nga kjo tragjedi e rëndë.
E vetmja që mbijetoi nga kjo ngjarje shumë e rëndë në Ostren të Bulqizës ishte vajza 15 vjeçare Merit, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin “Nënë Tereza”.