Bulqizë, ish-minatori 65-vjeçar, që jeton duke grumbulluar objekte metali e kërminj

0
181

  Ish-minatorin 65-vjeçar, Gëzim Qyshkekun, të gjithë e njohin në Bulqizë, pasi e sheh çdo ditë në një nga rrugët e Shupenzës apo atë Bulqizë – Maqellarë. Gëzimi del me shpresën se dikush që është në lëvizje mund të ketë hedhur nga xhami i makinës ndonjë kanaçe pas konsumimit të pijes, dhe nëse e gjen, e merr dhe e shet në pikat e skrapit. Me një thes në krah, Gëzimi ecën për disa kilometra çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Kjo është një ditë rutine për 65-vjeçarin, i cili në jetën e tij ka provuar shumë punë të vështira, që nga ajo në minierën e Bulqizës e deri tek emigrimi si punëtor krahu në shtetin fqinj, Greqi. Ai tashmë pret të dalë në pension në Gusht të këtij viti.

  Kushtet në të cilat jeton ky 65-vjeçar janë vërtetë shumë të rënda. Për banesë ka një godinë të dhuruar nga një person i fshatit. Këtë ambjet të vogël Gëzimi e shfrytëzon për gjithçka; kuzhinë, dhomë gjumi apo dhomë pritjeje. Hapësira nuk ka as kushtet më minimale për të jetuar.

Thirrjet e tij ndaj pushtetit vendor dhe institucioneve të tjera për t’i siguruar një banesë normale, deri tani kanë rënë në vesh të shurdhër, ndërsa 65-vjeçari vijon aktivitetin e tij për të mbijetuar me materiale metalike që i shet për skrap.