Bulqizë dhe Dibër, bora mbulon fshatrat, priten dëme në bujqësi

Bulqizë dhe Dibër, bora mbulon fshatrat, priten dëme në bujqësi

Fshatrat e Bulqizës janë përfshirë nga reshjet e dëborës mbrëmjen e së enjtes. Trashësia e bardhësisë ka arritur deri në 10 centimetra por pa krijuar probleme me qarkullimin e automjeteve. Reshjet e borës në këtë periudhë janë problematike për bujqësinë në një kohë kur shumë pemë frutore kanë çelur sythe. Zonat mbi 700 metra mbi nivelin e detit u përfshinë nga reshjet e borës, ndonëse ishin me intensitet të ulët. Fshatrat si Tërnovë e Madhe, Tërnovë e Vogël dhe shumë fshatra të Martaneshit i gjeti e premtja të zbardhur. Fermerët janë frikësuar nga ulja e temperaturave, ku nëse do të ketë ngrica gjatë natës, dëmet do të jenë të mëdha në frutikulturë, ashtu siç ndodhi vitin e kaluar. Reshjet e borës kanë përfshirë edhe fshatrat e Dibrës. Në Lurë trashësia e dëborës ka arritur deri në 15 centimetra, ndërsa edhe atje nuk ka probleme me qarkullimin e automjeteve. Po ashtu, reshje pati edhe në fshatra e Njësisë Administrative Selishtë, Sllovë e Kala e Dodës, por pa penguar lëvizjen e banorëve drejt qytetit të Peshkopisë. Ndërkohë sinoptikanët parashikojnë që edhe në dy ditët në vijim temperaturat do të mbeten të ulta, ndërsa rritja e tyre do të nisë nga fillimi i javës së ardhshme.