Besimtarët bektashinj në të gjithë botën kremtuan sot një ndër festat më të rëndësishme të tyre që është dita e Sulltan Nevruzit apo siç njihet si ditëlindja e imam Aliut. Besimtarët u mblodhën në të gjitha objektet e kultit të besimit të tyre për të kryer ritualin e rastit. Qindra besimtarë u mblodhën në teqenë e Martaneshit në fshatin Peshk. Babai i Teqesë së Martaneshit, Hysni Shehu tha se kjo festë simbolizon lindjen e jetës dhe gëzon çdo besimtar.

Besimtarët bëktashinj uruan festën e Sulltan Nevruzit për të gjithë qytetarët.

  Edhe në teqenë e Ballcës u zhvillua riti i ditës së Sulltan Nevruzit. Qindra besimtarë ishin mbledhur nga fshatrat përreth Bllacës për të përkujtuar ditëlindjen e Imam Aliut. Babai i Teqesë së Bllacës, Halil Curri tha se kjo ditë është pastrim i shpirtit dhe ngjallja e jetës.

Edhe këtu besimtarët bektashin uruan njëri – tjetrin për më shumë begati e harmoni mes tyre.

“Nevruz” vjen nga persishtja dhe do të thotë “Ditë e re”, ndërsa “Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite. Festa e Sulltan Nevruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar. Në Shqipëri Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.