Më në fund Bashkia e Bulqizës e ka marrë seriozisht rrezikun që paraqet kjo godinë në lagjen Çupaj. Pas kronikave të vazhdueshme televizive bashkia ka marrë vendimin për sigurimin e objektit në mënyrë që në të të mos futen fëmijë apo persona që kërkojnë për mineral kromi.

Këtë të premte Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit dhe policia Bashkiake Bulqizë vendosën shiritin e bllokimit të objektit i cili më pas do të shembet. Kryeinspektori i këtij inspektoriati, Bjordi Çupi tha kjo bëhet për të mos rrezikuar jetën e banorëve apo fëmijëve që jetojnë aty pranë.

Për shkak se dikur në këtë godinë magazinohej mineral kromi, shumë banorë apo fëmijë kërkonin për këtë mineral duke rrezikuar jetën. Por situata u agravua më shumë pas tërmetit të 26 Nëntorit të vitit të kaluar ku godina pësoi çarje akoma edhe më të mëdha, duke e bërë situatën akoma edhe më të rrezikshme.